Revolucioni i nisur 2 vite më parë ishte një gabim. Te Juventusi tashmë e kanë kuptuar se ndryshimi nuk ka sjellë asnjë përmirësim për klubin, madje e ka përkeqësuar atë. Cikli i titujve kampion në Itali përfundoi me triumfin e Interit këtë sezon, ndërsa në Champions League e gjejnë veten të eliminuar që pas daljes nga faza e grupeve. Dështimet e njëpasnjëshme thjesht kanë shtuar më tepër nostalgjinë për epokën e suksesshme të Alegrit, te mjeshtëria e të cilit kanë vendosur të kthehen përsëri.
Mediat në Itali e bëjnë fakt të kryer firmën e Masimiliano Alegrit me Juventusin. Trajneri italian do të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare me “zonjën e vjetër”, nga e cila do të përfitojë 9 milionë euro në sezon. Strategu 53-vjeçar e udhëhoqi Juventusin drejt 5 titujve kampion dhe 2 finaleve të Champions League gjatë 5 viteve në krye të pankinës. Arritje të mëdha këto, që tashmë shpresohet të pasohen nga një cikël i dytë suksesi, ku objektivi më i madh është padyshim trofeu veshëgjatë i Champions-it./Halit Delibashi-Sport Ekspres/