I la foton e kopertinës gjithë ekipit! Presidenti i Teutës është shembulli i duhur në Shqipëri, duhej ky titull për ta mësuar

Teuta arriti që të shpallet kampione e Shqipërisë në sezonin 2020-2021 duke mbyllur etjen e madhe për këtë trofe pas 27 vitesh pritje. Durrsakët u kurorëzuan në vendin e parë me kampionatin më të çmendur të viteve të fundit, ndërsa shenjat e para i dhanë me fitimin e Kupës dhe të Superkupës.

Por nëse te Partizani dihet se është Gaz Demi në drejtim, nëse te Kukësi gjendet presidenti i nderit Safet Gjici, nëse te Laçi kuptohet më së miri kryesimi i Pashk Laskës, jo të gjithë tifozët e futbollit shqiptar e dinë se Edmond Hasanbelliu drejton Teutën.

Sigurisht, bëhet fjalë për një emër të vjetër dhe që ka investuar prej shumë vitesh në futbollin shqiptar. Por Hasanbelliu nuk është një person që kërkon “show” mediatik, madje intervistat e tij për gazetat dhe emisionet sportive numërohen me gishtat e njërës dorë.

Nuk reagon kurrë, madje as në momentin kur gabimet e arbitrave ndikojnë drejtpërsëdrejti në humbjen e Teutës, ndryshe nga gjithë të tjerët. Nuk e kujton në asnjë moment që po investon prej vitesh në futbollin shqiptar, si për të treguar se duhet të ketë një vëmendje ndryshe për të edhe nga gjykimi.

Pra, në këtë sens, Hasanbelliu është një shembull i madh për futbollin shqiptar dhe njohës i vjetër i tij, por edhe një “i panjohur” për spektaklin e zakonshëm në këtë vendin tonë të polemikave. Vlerësimet maksimale meriton edhe për deklaratën e dhënë në fundin e garës pasi Teuta ishte shpallur kampione.

I detyruar për të dalë dhe për të thënë dy fjalë para mediave, pavarësisht se nuk e ka aspak me dëshirë këtë pjesë, Hasanbelliu nuk zgjodhi që të jepte një prej këtyre deklaratave për të fituar vëmendjen dhe për të marrë rolin e heroit duke treguar sakrificat e netët pa gjumë në gjithë këto vite. “Jam shumë i lumtur që më fund e dërgova titullin në Durrës pas gjithë këtyre viteve”.

Kaq mjafton për t’ia dedikuar trofeun qytetit të tij si një detyrim të përmbushur, por njëkohësisht pa harruar edhe të vërtetën e madhe: “Dua të përgëzoj edhe Vllazninë. Ne jemi kampionët, por ata janë kampionët moral”. Edhe në këtë prizëm presidenti i Teutës është për t’u vlerësuar, duke mos e marrë i vetëm suksesin, por duke e ndarë në mënyrë të drejtë me Vllazninë.

Në Durrës nuk është bërë asnjëherë diskutimi i problemeve me rrogat dhe lojtarët kanë pasur të gjitha komoditetet për të menduar vetëm rreth futbollit. Po ashtu edhe në ceremoninë e titullit, në faqen zyrtare të Teutës mund t’i dallojmë të gjithë pjesëtarët e këtij klubit duke ngritur në qiell trofeun, por presidentin mund ta gjejmë vetëm diku në pjesën anësore për t’i lënë faqen e parë të kopertinës gjithë ekipit. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *