Në nisjen e këtij sezoni të Superiores, “Sport Ekspres” ka bërë analizën sesi pritej panorama e elitës së futbollit shqiptar me trajnerin Oltijon Kërnaja. Shumë verdikte kanë dalë në bazë të këtij parashikimi i cili është publikuar në median tonë.
Për ta nisur që nga ekipi që ka fituar titullin kampion, Teuta. “Surpriza e bukur e sezonit të kaluar. Oreksi vjen duke ngrënë thotë populli, pas Kupës dhe Superkupës në sezonin e kaluar, këtë sezon objektivi duhet te jetë titulli kampion. Kallaku i vetmi largim, por me shumë peshë. Afrimet: Bregu-Krasniqi-Karabeci-Daja lojtarë qe e njohin mirë kampionatin shqiptar dhe titullin kampion. Objektivi: Titulli kampion. Realizimi: Këtë sezon duket se do te jetë viti i Teutës.
Trajneri Martini duke parë që sezonin e kaluar kishte mbrojtjen më të mirë, atëherë kërkesat e tij ishin të përforcohet në pjesën ofensive, duke marrë lojtarë si Bregu dhe Krasniqi, që premtojnë gola me peshë. “Puzzle” i plotësuar!”, ishin fjalët që parashikuan saktësisht suksesin e durrsakëve.
Për të vazhduar më tutje, gjithashtu është gjetur edhe rënia e Bylisit mes një sezoni të vështirë pas largimeve me peshë. Sipas Oltijon Kërnajas, që në nisje të sezonit Partizani nuk mund të arrinte më tepër se Kupat e Europës, ndërsa edhe për Tiranën është thënë se nuk mund të arrijë te titulli kampion pasi është zbuluar në mbrojtje dhe mesfushë. Për ta mbyllur edhe me Apoloninë që nuk kishte diskutime për rënien nga elita, pavarësisht se pritej për të tjerë si një surprizë në kampionat.
Sigurisht që mes këtyre parashikimeve si askund tjetër nuk mund të figuronte Vllaznia në luftën e titullit kampion, që ishte hirushja e bukur e Superiores, por që në fakt nuk mund të besohej as nga tifozi më i çmendur i shkodranëve. Në bazë të Kërnajës skuadra surprizë e këtij sezoni do të ishte Kastrioti, ashtu siç edhe rezultoi në fakt, ndërsa Skënderbeu llogaritej i mbijetuar për shkak të talenteve në përbërje. Por në momentin që krutanët nisën të vetëkënaqeshin përpara kohe do t’i dilte edhe situata nga kontrolli. /Sport Ekspres/