Fitorja 2-0 kundër Laçit nuk mjaftoi për të sjellë titullin kampion në Shkodër. Golavarazhi flet për Teutën dhe kështu Vllaznia duhet të mjaftohet me vendin e dytë në tabelën e renditjes, pavarësisht pikëve të barabarta. Por ky pozicion nuk e lë aspak të zhgënjyer trajnerin Brdariç, i cili në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport“ shprehet se tashmë duhet parë përpara, pasi i pret finalja e Kupës së Shqipërisë.
“Më vjen keq, por nuk jam i zhgënjyer, pasi sot bëmë më të mirën dhe morëm rezultat pozitiv. Bëmë gjithçka mirë, sot dhe gjatë gjithë 36 javëve, por nuk e kishim në dorën tonë, ndaj nuk duhet të shohim pas, por të mendojmë për finalen e Kupës, që vjen shumë shpejt.
Sot nuk është momenti për të parë pengjet apo gabimet që kemi bërë në të kaluarën. Kemi grumbulluar 66 pikë, aq sa ekipi kampion dhe madje kemi më shumë fitore se ata. Është një aspekt shumë pozitiv dhe besoj se duhet të shohim vetëm përpara.
Ne nuk e kemi përfunduar sezonin dhe kemi përpara finalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj që nesër duhet të punojmë shumë për të përgatitur ndeshjen me Skënderbeun. Kemi shkuar aty me meritë dhe duhet të bëjmë një tjetër sforco për t’ia dalë me sukses. Më pas do të ulemi dhe flasim për të ardhmen”, ka thënë Tomas Brdariç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/