Vllaznia ishte surpriza e vërtetë e këtij sezoni dhe i shkoi fare pranë ëndrrës për tu shpallur kampion deri në ndeshjen e fundit. Megjithatë, vendi i dytë në kampionat, mbërritja në Kupat e Europës dhe në finalen e Kupës së Shqipërsë përbëjnë një arritje mjaft të madhe për shkodranët, të cilët sezonin e shkuar luanin për të mbijetuar në Superiore. Në përfundim të takimit kundër Laçit, sponsori Alban Xhaferi ka përmbledhur këtë sezon të mbyllur me sukses për Vllazninë.
“I kënaqur me sezonin? Absolutisht, pasi ky ishte një kampionat i jashtëzakonshëm dhe na ka emocionuar jashtë mase. Vllaznia ka ardhur deri këtu me meritat e saj dhe ka luftuar fort. Sot ishim duke ëndërruar, sepse edhe ne ishim koshientë që ishte pak e vështirë që Vllaznia të dilte kampion. Unë i përgëzova çunat se ata janë kampionët e vërtet të këtij kampionati, kampionë moralë, në lojë dhe të gjitha aspektet. Sot është ditë për të festuar për Shkodrën, kemi Kupën dhe Kupat e Europës, duhet të shikojmë përpara. Vllaznia e madhe po vjen. Pengu më i madh janë tifozët. Falënderoj strukturat që na lejuan sot të hapnim stadiumin.
Ëndrra sikur të dilte, do të qe e jashtëzakonshme, por të ecim përpara. Nuk e di a ishin ndeshjet të drejta, unë po flas për këtë këtu. Nëse nuk ishte e drejtë, mund të shënonim edhe me tepër. E çuditshme si 2 lojtarët e Apolonisë dolën me karton të kuq, por duhet ta shikoj edhe njëherë, megjithatë mendoj që këtu ishte një ndeshje e bukur. Vllaznia ka luajtur drejt dhe do të luajmë gjithmonë drejt. Fitimi i Kupës është i mundshëm, pa dashur të nënvlerësojmë Skënderbeun.
Unë dua të shikoj përpara. Pak a shumë baza e skuadrës është me kontrata 2-3 vjeçare. Nuk ka dyshim që Brdariç do të jetë pjesë e Vllaznisë. Duhet të përshëndes shumë Voltana Ademin, që bëri të mundur marrëveshjen. Ajo ishte një ndihmë e madhe. Shpresojmë të mbarojë procesi i privatizimit dhe të vazhdojmë. Ishim kampionë në të gjitha aspektet”, ka deklaruar Alban Xhaferi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/