Titulli kampion i Superiores do të marrë fund si çështje në ditën e nesërme. Teuta-Apolonia dhe Vllaznia-Laçi janë dy verdiktet që do të zgjidhin përfundimisht diskutimin sa i përket ekipit fitues të këtij sezoni. Me idenë e qartë sesi mund të shpallen fituese këto skuadra, Teuta është dukshëm favorite karshi Vllaznisë. Në Shkodër kryqëzojnë gishtat dhe luten për mrekullinë që do të shënohej në histori e do të kujtohej për shumë vite me radhë.
Nga ana tjetër, në Durrës po bëhen gati për festën e madhe teksa i kanë vendosur thuajse të dyja duart te titulli. Por a do të arrijnë që ta ngrenë lart në qiell këtë trofe? Kjo mbetet për t’u parë. Në fakt i gjithë presioni ditën e nesërme shkon te Teuta. Ajo që kërkohet është fitorja e pastër në mënyrë që të mos hidhet vështrimi në Shkodër, por për të arritur në këtë pikë kërkohet “mendje e ftohtë”.
Nëse në Shkodër do të ishte mrekulli fitimi i titullit, në Durrës është detyrim. Pra nëse Teuta do të dështonte në këtë sfidë të fundit, atëherë do të paguhej kosto e shtrenjtë nga shumë protagonistë, ndryshe nga Vllaznia. Kjo është pjesa e vetme që mund të favorizojë disi shkodranët.
Ankthin dhe frikën sado të vogël që ndihet në këto kohë nuk e ka fshehur as trajneri Martini. Nëse për specialistët e futbollit ky diskutim është thuajse i mbyllur, Martini u shpreh se donte të dekurajonte Brdariç se nuk mund të arrijë dot në vendin e parë. Pra duke menduar që t’i shuhen të gjitha shpresat kundërshtarit, duke e kthyer kokën shpeshherë për t’u siguruar që është dorëzuar dhe se nuk do të vrapojë në befasi për të parakaluar në fund. /Sport Ekspres/