Një premtim i mbajtur, Vllaznia ka gati një “bomber” në gjirin e saj

Vllaznia është skuadra që ndoshta ka surprizuar më shumë këtë sezon. Kuqeblutë janë në garë për titullin kampion ku ka mbetur edhe kjo javë për tu luajtur dhe po ashtu ndodhen në finalen e kupës së Shqipërisë që do luhet kundër Skënderbeut të hënën. Por edhe shkodranët kanë pasur problemet e tyre në një sezon të shkëlqyer për ta. E ndoshta pika më e “dobët” e tyre ka qenë sulmi, ku shpesh herë ka pasur kritika në drejtim të bomberave të skuadrës.

Por një djalosh shkodran që ka shkëlqyer me gola, me fanellën u-21 të kuqebluve është Mehdi Çoba. 20-vjeçari ka pasur një edicion shumë pozitiv duke shënuar 20 gola në një periudhë shumë të shkurtër dhe duke mbajtur kështu premtimin e tij. Ku para pak kohësh është shprehur se këtë sezon do e mbyllte me një shifër prej mbi 20 golash. Një premtim i mbajtur.

Një performancë që disi është lënë në “harresë” nga stafi i skuadrës së parë kuqeblu. Duket se Vllaznia e ka golashënuesin e duhur në gjirin e saj dhe nuk ka nevojë që të kërkojë në vende të tjera. Duhet thënë se Çoba është afruar në fillim sezoni në ekipin e parë, ku madje mori edhe minuta, por një dëmtim bëri që ai të humbasë disi vendin e tij dhe në këtë mënyrë e vazhdoi sezonin tek ekipi u-21.

Një gjë e tillë duket se nuk ka ndikuar aspak në performancën e sulmuesit që ka treguar vlerat e tij. Shkodra dhe Vllaznia e ka vuajtur gjithmonë pjesën e talenteve që nuk i shfrytëzojnë dhe largohen duke u bërë “yje” në skuadrat e tjera. Por duket se sezoni që vjen do jetë ndryshe për talentin shkodran, ku pritet ti besohet më tepër nga ana e stafit kuqeblu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *