Koço Kokëdhima ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Presidenti i Apolonisë ka garantuar Vllazninë se do të luante sikur të ishte vetë klubi shkodran në fushë kundër Teutës. Gjithashtu Kokëdhima ka veçuar tifozët e Vllaznisë si më të mirët në Shqipëri.
“A jam vendosur në siklet? Nuk kemi asnjë siklet ne nga ftesat që të respektojmë garën, që të luajmë ndershëm. Kjo është vetë rruga jonë dhe ajo që ne bëjmë. E kemi dëshmuar në fakt dhe mund ta shihni në këtë kampionat që kemi respektuar garën deri në fund. Është detyra jonë që të bëjmë maksimumin, nuk do të bëjmë asnjë lloj tolerimi. Ne do të luajmë sikur të ishim Vllaznia. Nuk e bëjmë për askënd, por për vete.
E bëjmë se kjo është kultura jonë. Kam shumë respekt për Teutën, akademinë e saj, për traditat e saj. Vllaznia ka tifozeri të shkëlqyer, të jashtëzakonshme. Ka tifozerinë më të mirë në Shqipëri dhe kjo na obligon për të respektuar më tepër garën. Jam pak i habitur me disa diskutime: “A do toleroj Apolonia apo jo?”. Si mund të tolerojë një shkollë si Apolonia? Nuk mund t’i mësojmë ata me kulturën e tolerimit, lëshimit dhe manipulimeve. Apolonia është ndërtuar në mënyrë që të mos tolerojë edhe sikur të dojë presidenti”, ka thënë Kokëdhima. /Sport Ekspres/