“Kam qenë kudo, por në Shkodër janë të çmendur”! Rrëfimi i Djarmatit: Nuk ikën dot në dyqan, pas Vllaznisë nuk shoh futboll për 2 ditë

Matko Djarmati është drejtori i Vllaznisë dhe pjesë e stafit te ekipi që ka rikthyer emocionet pozitive të futbollit në Shkodër, të cilat mungonin prej shumë vitesh. Së fundmi llogarinë po e bënin me Vllazninë ekipet që renditeshin në vendet e fundit, por në këtë sezon flitet vetëm për titullin kampion. Drejtori Djarmati ishte i ftuar te “E diela Shqiptare” ku është rrëfyer edhe për këtë aventurë të re që po kalon te Vllaznia, ku e veçon nga gjithë pjesa tjetër.

“Jetoj në Shkodër për 5 ditë të javës. Është pak sfidë më vete dhe gruaja qëndron me fëmijët vetëm. Unë provoj gjithmonë kur kam ditë pushim që të vijë në Tiranë me makinë. E duan futbollin në Shkodër? Janë të çmendur. Unë kam luajtur në Kavajë, Krujë, Korçë, por nuk krahasohet. Atje njerëzit janë të çmendur. Kemi rezultate shumë të mira këtë sezon. Nuk del dot në një dyqan për të blerë diçka se të ndalojnë 5 veta duke të kërkuar një opinion ose do të japin ata një opinion, se çfarë duhet të kishim bërë ndryshe.

Nuk flas kurrë në shtëpi pas ndeshjes, si në humbje dhe fitore. Kam mbaruar edhe shkollën më të lartë të trajnimit. Në shkollë të mësohet se pas ndeshjes nuk duhet të flasësh kurrë. Fli natën dhe të nesërmen bëj analizën. Kjo pasi truri është shumë i nxehtë pas ndeshjes, shkon temperatura shumë lartë. Trajneri Brdaric më merr gjithmonë pas ndeshjes dhe më thotë që t’i jap një opinion, por unë i them se do t’ia jap të nesërmen mendimin tim. Është stresuese e gjitha kjo. Kur mbaron ndeshja e kampionatit tonë, unë rri dy ditë pa parë futboll”, tha Djarmati. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *