“Shkarkimi dhe konfirmimi? Do ju tregoj një histori interesante”! Rrëfimi i Brdariç: Takova sot Martinin, tha se u mbyll Superiorja

Trajneri i Vllaznisë, Brdaric, ishte i ftuar në “Supersport” ku ka komentuar këtë kampionat që po vazhdon të jetë garues deri në ndeshjen e fundit. Titulli do të ndahet pikërisht në këtë javë përfundimtare, ndërsa tekniku i ekipit shkodran foli edhe sa i përket penalltisë ndaj Partizanit duke u shprehur se dora e Belicës ka shtuar vëllimin e trupit dhe për këtë arsye ishte 11-metërsh. Ndërkohë kur kujtohet koha kur Brdaric njoftoi largimin nga Vllaznia dhe më pas do të rinkofirmohej sërish në krye, trajneri ka premtuar edhe një histori interesante.

“Ne jemi shumë krenar që jemi ende në garën e titullit. Gjithçka është e hapur deri në javën e 36 dhe askush nuk e di se kush do ta fitojë kampionatin. Kjo duhet t’i bëjë të lumtur edhe tifozët shqiptarë. A ishte kjo ndeshja më e mirë me Partizanin? Ishte shumë e këndshme që të luanim në “Air Albania” dhe të luanim kundër Partizanit. Vllaznia bëri paraqitje shumë të mirë. I tregova skuadrës atë që duhej të bënte për të fituar ndeshjen dhe jam i lumtur që ia dolëm.

Duhet të jemi të kujdesshëm me disa vendime. Ne duhet të diskutojmë për shumë gjëra. Ishim disi me fat, por duhet të besojmë te gjyqtarët dhe duhet t’i mirëpresim ato. Nuk është fjala vetëm te ky 11-metërsh por ishte ndeshje e bukur dhe ne e merituam. Dora duhet të jetë gjithmonë mbrapa. Dora nuk ishte e mbyllur, ishte e hapur. Për mua është penallti e qartë pasi dora shton vëllimin e topit, është çdo herë 11-metërsh.

Arbitrat kanë bërë paraqitje të mira pasi nuk është e lehtë që të luash në këtë fazë. Ne jemi duke e parë dhe prapë e kemi të vështirë që ta gjykojmë, arbitrat e japin në fraksion sekondi. Shkarkimi dhe rikthimi im? Është një histori e lezetshme që do ta tregojë pasi të mbaroj kampionati. Takova sot Martinin dhe më tha se titulli është çështje e mbyllur. Por unë besoj se titulli nuk është çështje e mbyllur. Shqipëria ka shumë lojtarë të mirë, po rritet shumë si në aspektin e Federatës dhe të klubeve”, tha Brdaric. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *