Ky sezon aspak i zakontë i Kategorisë Superiore po shkon drejt fundit, teksa kanë mbetur vetëm dy ndeshje për të mësuar cili do të jetë kampioni i këtij edicioni. Java e ardhshme mbetet përcaktuese, ku 4 pretendentet kryesore për titull përplasen me njëri-tjetrin. Lufta për kreun është mjaft e ashpër dhe zhvillimi i takimeve në të njëjtin orar mund të sjellë interesimin e lojtarëve për të mësuar rezultaten në ndeshjet paralele të rivalëve. I ftuar në studion e emisionit “Skaner“, Sulejman Starova thekson se futbollistët janë profesionistë dhe mendjen e tyre e përqendrojnë vetëm në sfidën e tyre.
“Laçi-Teuta dhe Vllaznia-Partizani? Lojtarët janë profesionist dhe si “kalë karroce”, e kanë mendjen vetëm te ndeshja e tyre. Është një staf i gjerë që punon për këtë pjesë. A e kanë mendjen? Po normale që e kanë. Do pinë pak ujë lojtarët dhe do thonë: “Si është ndeshja tjetër?”. Partizani nuk e ka mendjen mbrapa duhet të fitojë vetëm ndeshjen e vetë”, ka thënë Sulejman Starova./Halit Delibashi-Sport Ekspres/