Një mbrëmje aspak e qetë ishte ajo e mbrëmshmja për Lacion. Dy penallti të mohuara dhe një gol i anuluar padyshim që kanë ndezur irritimin në kampin bardhekaltër. Nervave nuk i ka shpëtuar as Igli Tare, që në pushimin mes pjesëve ka shfryrë kundër arbitrit në korridorin për në dhomat e zhveshjeve, duke lëshuar edhe fjalor kërcënues drejt tij.
Një veprim i tillë nuk i ka shpëtuar Komisionit të Disiplinës në Itali, që ditën e sotme ka vendosur të dënojë drejtorin sportiv shqiptar. Igli Tare pezullohet nga detyra e tij deri në datën 31 maj, si dhe nga arka e tij duhet të dalin 5 mijë euro për të shlyer gjobën e vendosur nga Federata. Komisioni i Disiplinës e argumenton dënimin me arsyetimin se:
“Në fund të pjesës së parë, në tunelin që të dërgon drejt dhomës së zhveshjes, u ballafaqua me mënyra kërcënuese ndaj gjyqtarit që po përpiqej të arrinte, i parandaluar në qëllim vetëm falë ndërhyrjes së njerëzve të tjerë. Dhe për shkak se ka sulmuar me të njëjtat shprehje bërtitëse e mosrespektuese”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/