Java e 32-të e Kategorisë Superiore ka nisur me befasi. Brdariç ka marrë një surprizë të hidhur nga Kukësi ditën e sotme, teksa verilindorët kanë mposhtur Vllazninë në “Elbasan Arena“ me shifrat 3-1. Skuadra e Josës gjen qetësinë e munguar dhe hedh hap të sigurt drejt mbijetesës, ndërsa shkodranët ndërlikojnë objektivin e tyre për titull kampion. Në përfundim të takimit, vetë protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Gol pas goli“ në “Supersport“.
Brdariç (Vllaznia): “Humbja e sotme të dhëmb shumë, duhet ta analizojmë këtë disfatë për ndeshjen e radhës. Gjatë pjesës së parë kishim tjetër strategji, ndryshoi gjithçka nga ajo që kishim planifikuar, prandaj bëra dhe shumë zëvendësime gjatë pjesës së dytë për të ndryshuar diçka. Nuk është e pranueshme që bëmë shumë gabime në pjesën e parë, nuk kishim presion në këtë takim. Të gjitha ndeshjet janë shumë të rëndësishme, duhet të shkonim për të luftuar.
Dilaver bëri pushim, sepse ka patur shumë ngarkesë dhe e lamë të pushonte disi nga ngjeshja e shumtë e kalendarit dhe e ndeshjeve. Ne nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Eni Imami duhet të jetë i përgatitur, sepse të gjithë lojtarët duhet të jenë të gatshëm për të gjitha pjesët e sezonit”.
Josa (Kukësi): “Kishim nevojë për pikë, një ose tri. Na vunë në vështirësi në pjesën e parë me Isaevskin. Duhet të dilnim para të ndalnim rivalët. Goli na liroi disi. Shkuam 2-3 herë përpara dhe kishim mundësi për të ndërtuar sulme, por humbëm topin në mesfushë. Kjo na bëri dëm. Vllaznia na e bëri të vështirë në pjesën e dytë me Cisse dhe Avdiaj. Duhet të ishim më të qetë. Vllaznina mund të na barazonte. Jam shumë i kënaqur me golin e tretë, pasi na dha qetësinë.
Nuk e kam menduar që do krijohej kjo situatë, pasi nuk ka Kukësi skuadër që të shkojë në këtë pikë. Futbolli është edhe fat, pasi Vllaznia na vuri në vështirësi. Ne do të vazhdojmë përpara, lojtarët kanë edhe detyra individuale. Ato do na japin mundësinë të vendosim për të ardhmen. Nuk flas për sezonin e ri, duhen folur shumë gjëra. Favoritët e titullit? Kam bërë gabim kur kam folur për të tjerët, kur s’e kisha marrë drejtimin e Kukësit. Vllaznia nuk e konsideroja. Partizani dhe Teuta do t’i ndajnë gjërat bashkë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/