“Nga rezultati duket si fitore e vuajtur”, Dajë nuk i bën përshtypje vendi i parë: Kemi qenë gjithë kohës aty

Janë mbyllur edhe dy ndeshjet e orës 18:00 të javës së 31-të të Kategorisë Superiore. Teuta dhe Vllaznia ishin në një përballje direkte për kreun, por në fund ai që ka përfituar ka qenë Përtizani. Takimi është mbyllur në paqe 0-0, rezultat ky që i hap rrugën të kuqve për të rrëmbyer vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Skuadra e Ilir Dajës nuk ka gabuar sot, duke marrë tre pikët përballë Apolonisë pas një fitoreje 1-0. Në përfundim të takimeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas goli” në “Supersport”.

Daja (Partizani): “Po të nisemi nga rezultati duket fitore e vuajtur. Por po të nisemi nga situatat që kemi krijuar dhe rastet para portës nuk ishte aq e vuajtur. Presioni u shtua në maksimum në pjesën e dytë. Nga momenti në moment me situatat që kishim prisnim të shkonim te goli. Të bësh gjithë atë volum loje, të bësh gjithë ato situata para porte, normale që goli mund të shënohet edhe në minutën e 75, 80 apo 85.

Vendi i parë? Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës aty. Pavarësisht se ndoshta nuk kemi qenë asnjëherë në vend të parë vetëm, por gjithë kohës kemi qenë me pikë të barabarta ose një pikë apo 2 pikë nga vendi i parë. Që do të thotë që nga fillimi i kampionatit kemi qenë prezent. Kështu që nuk do na ndryshojë asgjë ky pozicionim në vendin e parë“.

Brdariç (Vllanzia): “Nuk kam dëshirë të ankohem. Sot humbëm disa raste shumë të mira, por duhet të shënojmë. Kjo është mënyra për të fituar ndeshjet. Megjithatë shohim për ndeshjet e tjera dhe të përmirësohemi. Kishim gjithçka në dorën tonë. Kur shënojmë gjithçka është mirë. Duhet të bëjmë diferencën në zonë. Jam krenar për skuadrën time që luan në këtë mënyrë në fund të kampionatit”.

Martini (Teuta): “Hap fals nuk mund ta them. Por ne nuk erdhëm për barazim. E vërtetë që nuk patëm raste. E dinim që ishte ndeshje e vështirë, e dinim kë kishim përballë. Nuk kishim raste para porte, por edhe Vllaznia pati vetëm dy raste spontane. Ishte një ndeshje me tension. Barazimi ishte i drejtë. Ndeshje të tilla janë fragmente që i zgjidhin. Bregu është i markuar, jo nga një por nga dy lojtarë. Por nuk duhet të presim vetëm nga Dejvi. Ishte një ndeshje që nuk lejoheshin gabimet dhe mendoj që bëmë mirë. Ne vjet kemi luajtur shumë bukur futboll. Nuk arritëm të zëvendësonim numrin 10, që na ka hapur shumë punë. Nuk kemi dalë në lojën tonë”.

Kamarata (Apolonia): “Lojtarët kanë dhënë dhe do japin gjithçka deri në fund. Partizani është një skuadër shumë e mirë dhe me shumë kualitete. Në pjesën e dytë na vuri më tepër në vështirësi dhe arriti edhe të shënonte. Mbijetesa? Është deri diku e vështirë, por ne do provojmë deri në fund. Jam i kënaqur me lojtarët. Duhet të tregojnë vlerat e tyre, ashtu siç bënë të mërkurën, ashtu siç bënë sot. Unë kështu jam mësuar në karrierën time, edhe si lojtar edhe si trajner, i them të japin gjithmonë maksimumin. Të dalin nga loja me fanellën e djersitur”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *