Futbolli nuk është shkencë dhe matematikë ekzakte. Atëherë kur pritet fitorja më e lehtë e mundshme në bazë të letrës, ndodh surpriza më e madhe. Por në Kosovë po kuptohet më shumë seç duhet mbi rezultatet që do të marrin ekipet përpara se të luhet ndeshja. Këtë herë është analisti Ardian Llumnica në “Klan Kosova” që ka refuzuar të analizojë ndeshjen mes Llapit dhe Prishtinës.
Kjo e fundit fitoi në shifrat 1-3, ndërsa ndeshja e Kupën mes këtyre skuadrave nxiti edhe reagimet e shumta në opinionin duke u komentuar se këto klube kanë bërë llogaritë matematikore dhe se ndodhen në aleancë. Madje shumë komente kanë ardhur në faqen zyrtare të Prishtinës nga vetë tifozët që kërkojnë dënimin e klubit të tyre. Pas kësaj fitore të fundit që arritën në kampionat, kryeqytetasit marrin vendin e parë.
Nga ana tjetër analisti Llumnica është shprehur se nuk mund ta analizonte ndeshjen e Llapit me Prishtinën për shumë arsye. “Nuk kisha dashur ta analizoj këtë ndeshje për shumë arsye, e njëra prej tyre është se shpesh skuadrat po luajnë me skuadra të dyta, në këto raste edhe me juniorë. Ata i dinë arsyet, por jemi ngopur me arsyet e llojit, ‘interesi është këtu’ dhe në xhiron tjetër luajnë me skuadrën më të fortë.
Prishtina luajti ndaj juniorëve të Llapit dhe nuk e kishte problem të fitonte. Ishte ndeshja më pa shije në këtë xhiro. Kjo xhiro prodhoi ndeshje ‘fair-play’, ku patëm befasi të ndryshme, këtë ndeshje e kemi ditur epilogun”, u shpreh Llumnica. /Sport Ekspres/