E nisën sezonin pa synime për objektiva madhore, por tashmë kur Superiorja ka hyrë në sprintin final Partizani e gjen veten në krye të tabelës së bashku me Vllanzinë. Të kuqtë kanë marrë nji fitore spektakolare me shifrat 4-0 kundër Kukësit, duke dëshmuar forcën e tyre në kampionat. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH Sport”, drejtori sportiv i kryeqytetasve ka hedhur doza humori mbi triumfin e sotëm, i cili sipas Ramës duhej shpërblyer menjëherë me premio por në prag të zgjedhjeve mund të keqkuptohej.
“Kishim një problem sot, që nuk jepnim dot premio. U thamë lojtarëve që duhet të presin deri të hënën, pasi mund të na akuzonin se po jepnim para për ndonjë arsye tjetër. U thashë: vetëm Belica, Zhunior, Buba e të tjerët që nuk mund të votojnë keni premio sot. Ju të tjerët nuk keni sot, a prisni deri të hënën? Presim më thanë”, shprehet me humor Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/