Në orën 16:00 janë zhvilluar dy ndeshje të forta në Kategorinë Superiore atje ku ndesheshin ekipe me kualitete. Por Partizani e ka bërë Kukësin që të duket si ekip modest teksa fitoi në shifrat 4-0. Goli i parë erdhi nga Jasir Asani në minutën e 40. Në versionin e Lionel Mesit, futbollisti i Partizanit dërgoi topin në rrjetë nga goditja e dënimit. Vetëm dy minuta më vonë Hakaj do të katapultonte krosimin te Cinari për të gjetur edhe golin e dytë.
Me Kukësin që ishte tërësisht i dorëzuar, Zhunior dhe Mala përmbyllën spektaklin. Nga krahu tjetër Tirana arriti që të mundte Teutën në shifrat 0-2 duke e larguar nga kryesimi i Superiores. Në minutën e 78 Seferi do të gjente rrjetën, por arbitri e ndaloi lojën për faull në favor të Tiranës.
Në atë moment ka pasur edhe shumë polemika pasi loja duhej të lihej në avantazh. E si për të përmbyllur diskutimet mendoi Batha që dërgoi topin në rrjetë me ekzekutimin e saktë. Vetëm pak minuta më vonë do të ishte Hoxhallari me një ekzekutim klasi që do t’i conte shifrat në 2-0. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Idi Batha (Tirana): “Çdo ndeshje e radhës është finale për ne, për pozitat që ndodhemi. Kështu duhet t’i luajmë të gjitha ndeshjet. Rëndësi ka fitorja dhe 3 pikët. Polemikat shuhen për 2 sekonda. Në momentin që merr topin e harron atë situatë. Më vjen mirë që u shënua gol, nuk kemi mundësi për të kontestuar tani, vendimin e arbitrit.
Të jemi të sinqertë, të gjithë e dinë se cilat janë mundësitë që Tirana ka, me emrat dhe lojtarët që ka. Edhe ne e dimë se çfarë force kemi. Nuk na lejohet të flasim për titullin kampion. E kemi thënë dhe stërthënë që ndeshja e radhës është objektivi. Mundësitë i kemi. Personalisht mendoj që jemi ekipi më i mirë i Superiores, por jo gjithmonë fiton ekipi që ka emrat më të mirë, futbolli ka dhe surpriza”.
Ilir Daja (Partizani): “Na çliroi goli i parë i Jasir Asanit. E kërkuam fitoren nga fillimi deri në fund dhe nuk e vumë asnjëherë në diskutim. E dinim që Kukësi, mund të na sillte probleme, pasi është ekipi që ka shënuar më shumë. Këto ishin orientimet e stafit. Lojtarët u impenjuam maksimalisht dhe kanë ardhur 3 fitore radhazi me gola. Kemi një moment të mirë, pavarësisht se kemi luhatje, kishim edhe sot, të cilat nuk janë të mira. Çdo ekip ka cilësi që të të hapë probleme. Gëzojmë një formë të mirë dhe ajo që është më e mira, është se po shënojnë sulmuesit. Ne shpresojmë që çdo gjë të rregullohet me pandeminë dhe të shkojë mirë. Shpresojmë që të rikthehen sa më shpejt tifozët. Mundet që duke rujtuar distancën të jetë e mundur. Mendojmë se është një suport i madh për ne dhe çdo ekip tjetër. Melo? Nuk i marr unë vendimet. Melo një ditë para ndeshjes me Kastriotin ka dalë nga stërvitja i dëmtuar. Ka bërë eko dhe sipas specialistëve, u zbulua se nuk vuante nga dëmtimi. Përderisa e gjeti kurajon që të gënjejë dhe të largohet, e ka marrë përgjigjen”.
Edi Martini (Teuta): “Ishte një ditë e keqja e jona dhe nuk duhet ta qajmë më, pasi kemi ndeshjen tjetër përpara. Duhet t’i pranojmë edhe rezultatet e këqija, nuk duhet t’i fajësojmë lojtarët. Nuk kemi pse të vendosim para përgjegjësinë Krasniqin ose të tjerët. Tirana e meritoi fitoren dhe ishin më mirë sesa ne. Nuk na funksionoi si duhet lufta për topin e parë. Tirana kishte më shumë trafik lojtarësh në mesfushë. Bravo i qoftë Tiranës që na e zbehu lojën”.
Mirel Josa (Kukësi): “Ne sot kemi luajtur pa presion deri në pësimin e golit të parë. Duhet të kemi parasysh që Partizani na kapi jo në ekulibër. Në golin e dytë kemi gabuar shumë, lojtarët tanë ndenjën shumë larg dhe nuk i bënë detyrat e tyre për të markuar kundërshtarët. Partizani e meritoi fitoren. Lufta dhe sedra jonë ishte minimale. Roli i Kukësit në këtë kampionat është që të paraqitet sa më mirë për veten e tij. Ka pasur ndeshje që e kemi treguar sedrën dhe në disa të tjerë duke hasur probleme. Përveç sedrës dhe lufta sportive pas pësimit të golit të parë mbaroi komplet. Nëse marrim golin e dytë, nuk ka mundësi sesi Cinari flirtron në atë mënyrë me një lëvizje të lexuar”.
Orges Shehi (Tirana): “Jam i kënaqur për pikët dhe mënyrën e lojës. Nuk i dhamë asnjë mundësi kundërshtarit, pavarësisht se po luanim me vendin e parë. I kam thënë skuadrës se asgjë nuk ka mbaruar për titullin. Mund të kishim marrë më shumë pikë në dy ndeshjet e fundit dhe mund të ishim më mirë në tabelë. Por këto javë janë të rëndësishme për të treguar se kush jemi. Duke fituar i afrohemi më shumë vendit të parë dhe objektivave. Toli bëri shumë mirë me Vangjeli për të neutralizuar Bregun. Të flasim për titullin tani kur jemi në vendin e pestë është pak e ekzagjeruar. Megjithatë nuk na e ndalon askush”.