Armando Cungu ka komentuar ndeshjet e Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan në ditën e sotme. Trajneri i njohur ishte i ftuar në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Cungu do të shprehej se Vllaznia është e dënuar që të fitojë një trofe, ndërsa hedh dyshime edhe te Teuta që ka ecur me llogari kundër Skënderbeut.
“Mbas disa halucinacioneve Vllaznia i është kthyer stabilitetit. Vllaznia edhe sot bëri presion dhe nuk i dha mundësi Laçit të bënte protagonistin. Mendoj se e asgjësoi komplet ekipin kundërshtar në mesin e fushës.
Edhe në Laç Vllaznia luajti shumë mirë, por bëri pak në aspektin sulmues. Gjithsesi unë pretendoj diçka më tepër nga loja e Vllaznisë, e cila duhet të vazhdojë të mbajë këtë ritëm. Do ishte një nder që të arrinte titullin kampion. Kam mendu në fillim se nga 5 skuadrat e para Vllaznia ka kontigjentin më të vogël në cilësi, sepse edhe blerjet e janarit nuk kanë qenë ato të duhurit. Patizani, Tirana, Laçi dhe Teuta janë më mirë. Por duke parë se si kanë rrjedhur gjërat Vllaznia është e dënuar të marrë një kupë. Në këtë prizëm do ishte diçka e jashtëzakonshme.
Përsa i përket fitores së Skënderbeut askush nuk e kishte menduar. Më duket sikur Teuta e kishte neglizhuar dhe nuk e kishte marrë seriozisht. Ndoshta ndonjë skuadër ecën edhe me llogari, duke menduar më shumë për kampionatin se sa për Kupë,”-u shpreh Cungu. /Sport Ekspres/