Vetëm pak ditë më parë, golashënuesi i Kukësit, Patrick Eze, u shpreh i hapur për të luajtur për Shqipërinë. Dëshira e futbollistit nigeran ishte e madhe për t’u veshur kuqezi dhe statistikat flasin për të, megjithëse verilindorët nuk po luajnë sezonin e tyre më të mirë në Superiore. Në deklaratën e dhënë për “Sport Magazine” me gazetarin Sulçe, Eze u shpreh se nuk kishte luajtur asnjëherë me Nigerinë, në asnjë grupmoshë të vetme, ndërsa ishte i gatshëm t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Shqipërisë.
Këto fjalë kanë bërë bujë edhe në mediat nigeriane që pasi citojnë intervistën shprehen se pas injorimit të trajnerit të Kombëtares së tyre, Gernot Rohr, Eze është gati për Shqipërinë. Një deklaratë e thënë mes humorit në emisionin sportiv, por që po trazon ujërat për sulmuesin e Kukësit ku edhe në Nigeri do të vendosen në lëvizje pas këtyre fjalëve. /Sport Ekspres/