“Heshtje për shtyp”! Një fjalë që dëgjohet gjithmonë e më shpesh nga klubet në Shqipëri kur kampionati shkon në fazën më të nxehtë. Ekipet mendojnë se në këtë mënyrë mund të kontrollojnë lojtarët që të mos shpërqëndrohen, për një intervistë që zgjat për disa minuta, ndërsa nga ana tjetër nuk kanë asnjë kontroll mbi qëndrimin e futbollistëve në rrjetet sociale deri në orët e vona.
Historia ka treguar në këto ditë të fundit se klubet që e kanë aplikuar “heshtjen për shtyp” kanë dalë me rezultate negative, pra duke mos bërë asnjë efekt pozitiv si masë. Mbi këtë çështje ka reaguar edhe gazetari Altin Sulçe që ka ironizuar jo pak për “Ora Sport”:
“Është fut një mentalitet te klubet, heshtje shtypi. Se këtu, në kampionatin shqiptar është produkti më i madh evropian dhe botëror. Është kampionati që prodhon paratë e botës. Këtu po luhen interesat e të gjithë planetit dhe mos flasim për mediat, heshtje shtypi. Nuk e kuptoj! Futbolli ka partnership me mediat. Dhe pa mediat, futbolli do të ishte një gjë që nuk do të kishte kuptim. Del një shtyp thotë “heshtje shtypi”, del tjetri “silence”, çudira nga më të mëdhatë.
I respektoj klubet, i respektoj presidentët, i respektoj të gjithë ata që marrin këto vendime por unë mendoj që media është një element shumë i rëndësishëm se ne e kemi parë edhe në mediat botërore, edhe në Angli, edhe vende të tjera dhe janë prezentë futbollistët të cilët prodhojnë shumë para. Kampionati ynë është shumë i varfër. Kampionati ynë, në sajë të mediave, gjithnjë është reklamuar në vlerë më shumë se çfarë është“, u shpreh Sulce. /Sport Ekspres/