Një mbledhje është organizuar për gabimet e bëra nga ana e arbitrave, teksa po shkojmë në fazën më të zjarrtë të kampionatit. Shumë ekipe që kërkojnë titullin kampion, ndërsa në mbledhjen e fundit ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Në studion e “Skaner” që transmetohet në “MCN Television” është i ftuar edhe dizenjatori i arbitrave në FSHF, Sokol Jareci që ka shpjeguar më tepër: “Kjo ishte një mbledhje e zakonshme. Presidenti i FSHF ka qenë i pranishëm edhe në mbledhjet e mëparshme, por mediat nuk e kanë mësuar. Sigurisht që ndikuan edhe nga gabimet e ndodhura te Kukësi-Laçi që nuk kanë nevojë për koment”.
Në këtë moment ka ardhur edhe ndërhyrja e Starovës që kërkon dënimin përjetë nga arbitrimi. “Unë nuk kam parë një arbitër që të dënohet përjetë. Kur ka pasur disa gabime që kanë qenë edhe për pushkatim. Problemi është kur ndodhin gabime të qëllimshme, por që në këtë kampionat nuk kam parë”.
Por këtë kërkesë Jareci e hedh poshtë: “Ne jemi pjesë e një konvente të UEFA-s dhe këto dënime nuk mund të ekzistojnë përjetë për arbitrat. Pastaj si themi gabim i qëllishëm? Si e masni këtë gabim, çfarë provash keni për ta thënë? Vetëm në Shqipëri i dëgjon këto gjëra”.
Një mendim për këtë çështje ka dhënë edhe Nevil Dede: “Dakort, duke vazhduar llogjikën. Në rast se gabimi nuk ka qenë i qëllimshëm, atëherë është i paaftë. Pra është i paaftë arbitri apo është miop që nuk arrin të shohë ndërhyrjet? Se kështu i hedh poshtë gjithë investimin presidentit të klubit dhe ndryshon objektivat”. /Sport Ekspres/