PAOK-Aris ishte një ndeshje që dhuroi shumë emocione në kampionatin grek të futbollit, ku të dyja ekipet janë ndarë në barazimin 2-2. Përveç rivalitet që kanë këto skuadra, situata që ndodhen në renditje paralajmëronte një luftë të vërtetë.
Kjo pasi diskutohej nënkampioni i Greqisë, teksa Olimpiakosi është shkëputur në krye. Për këtë arsye, Clattenburg, ish-gjyqtari i njohur anglez që është kreu i arbitrave në Federatën Greke të Futbollit, caktoi arbitrin më të mirë nga Polonia dhe që ka shumë eksperiencë në kompeticionet europiane, Szymon Maricniak.
Por në futboll nuk ka asgjë “të prerë me thikë” dhe vendimet e arbitrave do të vendosen gjithmonë në dyshim. Shpeshherë kërkesa vijnë edhe nga Shqipëria teksa klubet tona kërkojnë arbitër të huaj për të shmangur frikën e gabimeve të tyre.
Megjithatë kjo nuk garanton se në fundin e takimit nuk do të ketë alibi. Nëse nuk mund të kritikohet direkt arbitri i huaj për ndikimin, mund të shigjetohet fare mirë caktuesi i tij. Kjo ka ndodhur në ndeshjen PAOK-Aris, me miqtë që po kryesonin 0-2 deri në minutën e 87.
Inagson ngushtoi diferencën dhe në minutën e fundit është akorduar një penallti e dyshimtë në favor të PAOK, pas një dueli në zonë që kishte portieri i Arisit. Këta të fundit janë të sigurtë se penalltia ishte tërësisht e sajuar duke mos ngurruar për të thumbuar zgjedhjen e Clattenburg.
“Z. Clattenberg, përgëzime për polakun që na solle. Pas rezultatit 0-2, ai bëri atë që duhej për ta kthyer ndeshjen. Me kulmimin në atë penallti që nuk ekzistonte askund. Ju ose nuk doni ose nuk mundeni më”, shkruhet në reagimin e klubit të Aris. /Sport Ekspres/