Ilir Daja ka folur përpara ndeshjes së radhës që Partizani do të ketë ndaj Apolonisë. Tekniku i të kuqëve ka siguruar opinionin sportiv dhe tifozët se nuk do të ketë nënvlerësim për kundërshtarin e radhës, pavarësisht se gjendet në zonën e ftohtë të renditjes. Gjithashtu te Partizani janë duke menduar për planin afatgjatë dhe jo vetëm për këtë sezon, pasi po mendohet për rinovimet. Daja nuk mendon asnjëherë për Vllazninë dhe që të shoh për vendin e parë, por gjithmonë e merr Partizanin në krahasim me vetveten.
“Kemi luajtur mirë dhe na kjo jep garanci për të ardhmen. Ky vit ka qenë me rezultate goxha të mira për ne. Mendojmë se jemi në gjendje të mirë, por nuk ka ndeshje të lehta. Nuk duhet ta gjykojmë kundërshtarin nga pozicioni në tabelën e klasifikimit. Në fillim të këtij viti kemi barazuar në Elbasan ndaj Apolonisë.
Kemi bonus psikologjik, sepse i bëjmë llogaritë me Partizanin, jo me të tjerët. Në fazën e parë deri në këtë javë kishim 5 pikë, në të dytën 6, ndërsa në këtë fazë kemi 7 pikë të grumbulluara, që do të thotë që, përveç se kemi pasur një qëndrueshmëri gjatë gjithë kohës, kemi mbajtur vendin e dytë për kohë të gjatë dhe kemi më shumë pikë dhe lojë më të mirë.
Përveçse do të mendojmë për rinovimet, do ta përforcojmë grupin në vendet që na duhen. Kemi kohën e duhur. Për të ndërtuar një ekip me pretendimet që ka Partizani, duhet të nisë puna deri tani. Javën para derbit, së bashku me drejtorin dhe stafin do të ulemi për të bërë të mundur rinovimet për vazhdimësinë. Asnjë i dëmtuar nuk rikuperohet për Apoloninë”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/