Presidenti i Apollonisë, Koço Kokëdhima, ishte i ftuar në emisionin sportiv “Paso” që transmetohet në “Top Albania Radio”. Këtë herë është folur për premtimet e dhëna nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit i siguroi klubeve se do të përmbusheshin të gjitha kërkesat e tyre në momentin e bojkotit të fillimit të sezonit, megjithatë nuk ka ende asnjë ndryshim.
“Për fat të keq nuk është përmbushur asnjë nga ato kërkesa të klubeve, ajo që ndodhi në të vërtetë, nuk është se u tërhoqën klubet, por një përfaqësi me tre presidentë të klubeve takoi kryeministrin dhe mori garanci të plota prej tij.
Premtime të qarta në prezencë të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, premtime që ai do t’i plotësonte këto kërkesa dhe ai u angazhua që një nga këto kërkesa do t’i bënte që në javën pasuese dhe pastaj në vazhdimësi do t’i plotësonte dhe i mori si përgjegjsi personale, plotësimin e tyre duke i quajtur ato si kërkesa të drejta.
Fakti që ai gënjeu tre presidentët e futbollit nuk është ndonjë meritë për të dhe nuk është një ç’meritë për ata që besuan tek kryeministri dhe tek përbetimet e tij… Kjo për mendimin tim është shumë fëminore dhe shumë e pandershme që të gënjesh përfaqësuesit e një tryeze zyrtare të një institucioni, praktikisht siç është Liga”, tha Kokëdhima. /Sport Ekspres/