Keidi Bare e di më së miri se ëndrrat në këtë jetë nuk realizohen duke qëndruar “këmbëkryq”. Askush nuk të jep asgjë falas. Kjo është mëse e qartë dhe gjithmonë duhet të luftosh për të përmbushur qëllimet, duke bërë sakrifica që mund të kenë edhe “çmim të lartë”. Mesfushori shqiptar nuk ka pasur një fëmijëri si gjithë të tjerët.
Në intervistën e dhënë së fundmi për mediat spanjolle, Bare e thotë qartë: “Nuk e di sesi është që të kesh shokë”. Gjithçka për të rrotullohej rreth topit, ndërsa do të largohej nga familja në moshë fare të hershme.
“Në jetë duhet gjithmonë të luftosh pasi gjërat nuk të vijnë falas nga askush. Dhe sigurisht që duhet të jesh i përulur. Kam luftuar shumë për të arritur deri këtu. Kam sakrifikuar shumë për të mbërritur deri këtu. Kur isha fëmijë nuk kisha miq dhe vetëm me familjen kam mbërritur deri këtu sot. Nuk e di sesi është që të kesh miq. Nuk shkoja të dilja me djemtë e tjerë sepse gjithçka për mua rrotullohej rreth topit. Kisha periudhë të vështirë, fatale, kur u largova nga familja në moshën 11-vjeçare sepse duhej të mendoja për të ardhmen time”, u shpreh Bare. /Sport Ekspres/