Emir Sahiti është duke shkëlqyer në këtë sezon me ekipin e Sibenik, atje ku ka shkuar si huazim nga Hajduku i Splitit. Për shkakun e mungesave të hapësirës futbollisti shqiptar provoi eksperiencën e re që po i shërben shumë për t’u përmirësuar.
Në këtë sezon ka arritur që të shënojë gjashtë gola, duke tundur rrjetën e kundërshtarëve më të mirë të Kroacisë si Dinamo e Zagrebit dhe Rijekta. Aktualisht Sahiti është pjesë e Shqipërisë U-21, ndërsa në intervistën e dhënë për “Zëri.info” është shprehur se ende nuk ka kontakt nga Kombëtarja A. Nëse vjen një kalim te Kosova? Për këtë nuk duhet të mërzitet askush!
“Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush për Kombëtaren A. Puna ime është që ta tregoj veten në fushë dhe nëse me vjen ftesa nga Kombëtarja unë do të jem gati. Kosova? Më duhet të bisedoj me familjen dhe menaxherin. Nuk duhet të mërzitet askush nëse e ndërroj Kombëtaren, pasi ne jemi vëllezër”, përfundoi Emir Sahiti. /Sport Ekspres/