“Kam folur me Ernest Muçin”, trajneri i Tiranës para ndeshjes me Kukësin: Nuk është provë për mua

Orges Shehi ka ndeshjen e parë të vërtetë në drejtimin e Tiranës teksa do të përballet me Kukësin. Një ndeshje që gjen përballë dy trajnerët e rinj në detyrat e tyre pasi te verilindorët nuk kanë kaluar shumë javë nga zyrtarizimi i Mirel Josës.

Megjithatë Shehi nuk dëshiron që t’i jap një ngarkesë më të madhe kësaj sfide, duke e etiketuar vetëm si ndeshjen e radhës. Në raportimin e “Supersport”, trajneri i Tiranës tregon se ka biseduar edhe me Ernest Muçin që të jetë i qetë pas zërave të shumtë të largimit.

“Nuk dua të merrem me statistika, kemi ndeshje të rëndësishme nesër. Vijmë pas rezultateve pozitive, kështu që do mundohemi të jemi në këtë ecuri. Kundërshtari dihet, ka në përbërje elementë cilësorë. Meriton vlerësim dhe respekt të madh. Jemi të ndërgjegjshëm që në Kategorinë Superiore nuk ka ndeshje të lehta. Të gjithë kundërshtarët janë të rëndësishëm dhe të vështirë. Nesër nuk është provë për Shehin. Është ndeshja e radhës përballë një rivali. Duam të dalim sa më mirë dhe të jemi brenda objektivave”.

Muçi është xhevahir i skuadrës sonë dhe sigurisht që zërat mund ta shpërqendrojnë. Jo më larg se dje kam biseduar me të dhe ia përsëris përditë që të jetë i qetë. Nëse nuk ikën tani, do të largohet më vonë. Duhet të jetë i qetë për të dhënë maksimumin. Josa? Është kënaqësi të kem përballë profesor Mirelin. Me të kam ndarë shumë momente të bukura dhe arritje të mëdha. Do ta takoj me përzemërsi“, përfundoi Orges Shehi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *