Puthja e topit nga Zogoviç përmbledh 90 minutat, Sulçe: Kronikë e pashkruar për Vllaznia-Partizani

Ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave të 17 në Superiore ishte ajo mes Vllaznisë dhe Partizanit. Kjo përballje ofroi shumë emocione për shikuesit nga ekrani, me momentet kulminante që gjendeshin në fundin e 90 minutave.

Partizani krijoi iluzionin e golit në tre raste, por njëherë Zogoviç me reagimin fantastik ndaj Esat Malës dhe në dy raste terreni i rënduar nga balta, do të ktheheshin në shpëtim për shkodranët. Topi e humbiste forcën dhe në kushte normale mund të përfundonte në rrjetë, me lojtarët e të kuqëve që godisnin në brendësi të zonës.

Megjithatë pas disa ditësh nuk do të mbahet mend kronika, por rezultati. Ky i fundit tregon se Vllaznia ka dalë “fituese” në paqen e bërë me Partizanin. E si mund të mund të përshkruhet i gjithë ky takim në pak fjalë? Gazetari i Ora News, Altin Sulçe është shprehur për “Ora Sport” se puthja e topit nga ana e Zogoviç i thotë të gjitha.

“Për të gjithë njerëzit ka pasur interes. Ishte një ndeshje e bukur, emocionuese, në një terren të rënduar. Vetë puthja e topit nga portieri Zogoviç e përmbledh le të themi një kronikë të pa shkruar të ndeshjes. Kjo tregoi se me pak fat, ai top në kushte të tjera do të shkonte në rrjetë. Nga ana tjetër Vllaznia u tregua pragmatike dhe mori atë që donte. Partizani dominoi në pjesën e dytë, ndërsa në pjesën e parë Vllaznia ishte më mirë”, u shpreh Sulçe. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *