Adrian Aliaj është duke bërë një punë të mirë me menaxhimin e lojtarëve shqitparë, duke u siguruar hapa të rëndësishëm në karrierën e tyre. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë për gazetarin Drilon Xhepollari në “Sport Magazine”, ku rrëfen më tepër mbi nivelin e Superiores apo edhe me transferimet e bëra nga ky kampionat drejt Turqisë. Nuk ka munguar një koment nga ana e tij për kalimin e papritur të Armando Sadikut drejt Bolivisë, ndërsa në fund e mbyll me emocionet e veçanta nga goli spektakolar i ardhur prej tij në atë fitore historikë 2-1 që Shqipëria mori ndaj Greqisë në vitin 2004.
Niveli i Superiores
“Dua të jem shumë i sinqertë, se e di që ka edhe shumë kritika, edhe nga intervistat që shikoj lartë e poshtë. Ju them me pastërti, e shoh pozitive. Liga me 10 ka rritur kualitetin e futbollit në Shqipëri, ka rritur konkurencën. E them me sinqeritet që është në rrugën e duhur. Shoh ndeshje të mira, me ritëm. Shoh lojtarë cilësor që e kanë treguar veten edhe në kampionatin shqiptar, por edhe që kanë ikur jashtë. Më pëlqen liga shqiptare. Kisha dëshirë ti japin pak më shumë hapësira lojtarëve të rinj. Është edhe qëllimi i ligave si Shqipëria dhe në rajon. Është bërë progres”.
Transferimi i shqiptarëve jashtë Superiores
Po mundohemi t’i ndihmojmë shqiptarët me sa mundësi kemi. Flas për ata që kanë potencialin e duhur, kualitetin dhe karakterin e duhur. Jam i lumtur për këtë gjë që mund ti ndihmoj shqiptarët të bëjnë hapin tjetër në karrierë. Jam befasuar nga kualiteti i Et’hemit dhe Rrocës, se Abazajn e njihja më mirë nga të tre. Jam shumë i lumtur se i kemi bërë si “3 musketierët“ te filmi I famshëm në një ekip.Nga liga shqiptare po shkojnë në liga më serioze, po luajnë, janë titullarë dhe të rëndësishëm për klubet e tyre.
Transferimi i Sadikut në Bolivi
“Është diçka që nuk e kisha menduar kurrë. Enigma e futbollit europian është transferimi i Armando Sadikut në Bolivi. Po vë logjikën në mes, do mundohem të gjej disa argumenta dhe të mendoj pse ka shkaur atje. E para që më shkon ndërmend është ana financiare. Kemi pasur transferime të çmenduara gjithandej, në Kinë apo në Lindjen e Largët. Po mendoj që e vetmja arsye pse ka shkaur atje është ana financiare. Shpresoj të jetë ajo se për anën sportive më duket absurde. Një koment të tillë e kam dhënë edhe për Trashin, që lojtar me kualitete të tilla të luajë në Kuvajt, e vetmja gjë që më shkon në mendje është ana financiare”.
Goli në fitoren 2-1 kundër Greqisë
“Është diçka që nuk ka lidhje vetëm me mua. Ishte një ndeshje historike. Për një moment në ato kohëra që ishin shumë delikate dhe nga ana politike. Ndodhi një fitore që nuk ishte as e imja, as goli im, ishte e gjithë shqiptarëve dhe gjithë shqiptarisë anë e mbanë. Njerëzit i kanë harruar ato problemet e tyre. Të paktën për 24 orë ishin të lumtur dhe këtë e kanë treguar anë e mbanë Europës dhe Botës. Më vjen mirë që isha protagonist në atë ndeshje me atë gol, por le të themi që janë gjëra që i përkasin historisë dhe të shkuarës“, ka deklaruar Adrian Aliaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/