Trajneri i Vllaznisë, Brdariç, nuk zgjedh që ta sakrifikojë skemën e tij sulmuese ndaj asnjë kundërshtari. Pavarësisht nëse luhet ndaj një skuadre që synon titullin kampion apo një rivali tjetër që kërkon mbijetesën, Vllaznia është e njëjta. Në konferencën për shtyp, Brdariç “i ka hedhur dorashkat” verilindorëve duke thënë se do të luajnë për të fituar, duke njohur më së miri edhe pikat e dobëta të Kukësit. Bëhet fjalë për dy ekipe që po përjetojnë situata tërësisht të ndryshme teksa Vllaznia ka gjithë motivimin në anën e saj, ndërsa nënkampionët e Superiores po përjetojnë krizë.
“Jam i lumtur që luajmë ndaj Kukësit në një fushë si ajo e Elbasanit. Jemi gati me lojtarë që kanë shumë motivim. I dimë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit dhe jemi gati të përballemi me ta. Të bëjmë maksimumin për të fituar. Kemi mësuar shumë nga hera e fundit dhe duhet të zbatojmë detyrat. Ne nuk luajmë me 11 portierë, do të jemi në sulm. Nuk mund të sjellim në merkato emra të mirë si mund të bëjë Tirana dhe ekipet e tjera, por le të jemi të përulur dhe të punojmë fort”, tha Bradariç. /Sport Ekspres/