Interi barazoi me Romën me shifrat 2-2 ditën e djeshme, duke mos arritur të ndjekë hapin e Milanit. Tifozët zikaltër kanë akuzuar trajnerin Antonio Conte se nuk diti ta menaxhojë rezultatin, por e ktheu skuadrën në prapavijë që i kushtoi dhe fitoren. Në përfundimin e takimit, tekniku italian ka zgjedhur të përgjigjet për akuzat ndaj zëvendësimeve të bëra si dhe deklaroi se nuk dëshiron transferime të reja në merkaton e dimrit.
“Mendoj se ishte një ndeshje e mirë, gjithashtu dhe në pjesën e parë. Mos harroni Roma ka të njëjtat synime, dhe janë vetëm tre pikë prapa nesh. Nuk është asnjëherë e lehtë ne këtë skuadër. “- nisi fjalimin trajneri.
“Vidal u dëmtua dhe Gagliardini e zëvendësoi atë. Lautaro dha shumë në 75 minuta, unë doja që ai të ndihmonte ekipin në fazën mbrojtëse. Hakimi vrapoi shumë, por po humbte zotërimin e topit shumë shpesh. Ne kemi një ekip të rëndësishëm dhe mund të synojmë gjëra të rëndësishme. Pra nuk e shoh të arsyeshme të blejmë lojtarë të tjerë.”- u shpreh trajneri italian mbi zëvendësimet dhe merkaton e janarit./Elio Hajdari-Sport Ekspres/