Egbo arriti shumë suksese me Tiranën brenda një viti të vetëm dhe kërkohet jo pak kohë për të numëruar arritjet me bardheblutë. Fitoret radhazi që do të merrte për t’i kthyer kryeqytetasit në të pathyeshëm, fitorja në derbi pas shumë vitesh mungese dhe “qershia mbi tortë” ishte kurorëzimi si kampion.
Gjithashtu edhe në Europë kishte një paraqitje shumë dinjitoze të Tiranës, që u ndal vetëm nga Young Boysi për të provuar shijen e grupeve të “Europa League”. Por Egbo do të largohej pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, për t’i lënë vendin Dedes.
Në një rrëfim për mediat në Nigeri, ish-trajneri i Tiranës ka prekur edhe njëherë temën e shkarkimit të tij. Megjithëse nuk mund të zbardhet gjithçka me detaje, por fjalët e Egbos e tregojnë qartësisht gjendjen te bardheblutë, me lojtarët që aktualisht nën drejtimin e Dedes kujtojnë ende kohën e dikurshme.
“Unë kam mësuar me Tiranën se nëse ti beson te vetja, nëse ti beson te skuadra, atëherë mund të fitosh. Kemi fituar ndaj skudrave të mëdha dhe që kanë pasur mentalitet të fortë. Arrita shumë suksese me këtë skuadër. Ne fituam titullin pas 11 vitesh, ne arritëm që të fitonim ndaj Partizanit kur ishin 5-6 vite pa fituar dhe vendosëm një rekord të ri për fitoret radhazi, 16 të tilla. Pra rezultatet ishin fantastike. Kur fituam me Partizanin mendova se diçka e madhe po vinte. Përse u largova?
Tirana përdori rezultatet për të më larguar mua, por janë në vendin e gjashtë të tabelës tani, ka disa humbje dhe rezultatet nuk kanë ardhur ende. Ka shumë gjëra të përfshira që unë nuk mund të flas, është një histori e gjatë. Shumica e lojtarëve nuk kanë qenë të lumtur për largimin tim, madje disa nga stafi i skuadrës më thonë edhe sot se futbollistët shprehen: “Sikur Egbo të ishte këtu, kjo ose kjo nuk do të kishte ndodhur”. Ishte fantazmë mënyra sesi më larguan pas gjithë atyre sukseseve që arritëm.
Përse duhej larguar një trajner që fiton titullin? Përse duhej larguar një trajner që arrin sukseset? Nuk mund të flas më tepër. Do të jepja dorëheqjen në fundin e kampionatit pasi u shpallëm kampion, por vendosa të mos e bëja pasi jam luftëtar dhe gjithmonë për të fituar.
Pengu i vetëm është se nuk shkuam të paktën në grupet e “Europa League”. Tani kam pasur disa oferta nga Shqipëria dhe jashtë saj, por do të vendos në momentin e duhur dhe unë kam principet e parimet e mia në punë. Nëse do të përmbushen, atëherë mund të punoj”, është shprehur Egbo. /Sport Ekspres/