Teuta rezulton edhe njëherë si një “mace e zezë” për Tiranën, ndërsa bardheblutë nuk arritën që të merrnin tre pikët, pavarësisht se kaluan në avantazh që nga “tuneli”. Pa nisur ende mirë ndeshja ishte Grent Halili që e dërgoi topin në rrjetë për të krijuar iluzionin e triumfit. Teuta do të barazonte dhe do të dilte me një pikë nga ky takim, por pavarësisht dështimit për të dalë me pikë të plota, gjithçka është e kuptueshme tek Tirana. Mungesa e lojtarëve kryesorë dhe largimet nga sezoni i shkuar kanë sjellë “fytyrën e re” të skuadrës që ka nevojë për ndërhyrje në janar, që të rikthehet sërish e bukur për tifozët. Presidenti Refik Halili ka qenë i ftuar në “Ora Sport”, atje ku ka prekur temat nga më të ndryshmet.
“Të them të drejtën nuk jemi të kënaqur sa i përket rezultateve deri tani. Pa dashur të justifikohemi, por kemi pasur dëmtime dhe largime nga sezoni i shkuar. Prandaj kemi ardhur në këto rezultate. Jemi te 50% i pikëve që duhej të kishim, nuk ka justifikime. Tani duhet të lëvizim dhe të bëjmë goditje në merkato. Sigurisht që në janar nuk ka shumë alternativa, por nëse nuk blihet me pak para, atëherë blihet me shumë. Jam i bindur që do të ketë ndryshim.
Goli i Grent Halilit? Nuk ka prind që nuk gëzohet për djalin e tij, por unë flas për rezultatet. Ngo? Ka thënë se do të vijë në janar, por do ta shohim se ku do të vijë. Asani? Nuk besoj se do të vijë, ne kalojmë në një filtër të gjitha afrimet tona. Edhe me Avdijan kështu ka qenë, pavarësisht se na rezultoi dështim. Tirana e ka të sigurt vendin për Kupat e Europës, nuk ka koment për këtë, është qesharake”, ka thënë Halili. /Sport Ekspres/