Është një nga portierët që kanë shkruar historinë në futboll, por duket se as te më të mirët nuk mungojnë pendesat dhe gabimet. Këtu nuk bën përjashtim as Xhanluigji Bufon, i cili në një rrëfim për “L’Equipe” zbulon gabimin që i ka mbetur ende në mendje në kohën kur mbajti veshur fanellën e PSG-së.
Bëhet fjalë për ndeshjen e kthimit mes francezëve dhe Mançester Junajtid të vlefshme për Ligën e Kampionëve, ku “djajtë e kuq” fituan me shifrat 1-3 në “Parkun e Princave” dhe kaluan në fazën tjetër. Në këtë përballje Bufon nuk ishte në mbrëmjen e tij më të mirë, teksa gabimet e bëra brenda zonës së tij ndikuan në eliminimin e PSG-së. Gardiani italian vazhdon të fajësojë veten për atë mbrëmje, që e përndjek edhe sot e kësaj dite.
“E rimendoj atë ndeshje të paktën tre ose katër herë në javë. Ai takim zgjon shumë pendesa. Unë fajësoj veten time për një gabim të pabesueshëm, një gabim që, me përvojën që kam fituar, nuk duhej ta kisha bërë. Mendërisht, atë mbrëmje, ndërsa loja po afrohej, unë nuk isha Xhixhi i zakonshëm në përqendrimin tim.
Nuk kisha forcë dhe as energji për të kuptuar që po përgatiteshim për lojë në një mënyrë shumë të lehtë dhe ndoshta, për të mos qenë plaku që qorton të gjithë, nuk thashë: ‘Djema, ne nuk jemi atje’. Kjo nuk do të kishte ndodhur në Juventus. Isha i sigurt se në atë sezon do të arrinim në finale”, ka thënë Xhanluigji Bufon./Halit Delibashi-Sport Ekspres/