Dy ish-sulmues të Kategorisë Superiore janë kthyer në protagonist të elitës së futbollit të Kosovës. Mirlind Daku ka thyer çdo pritshmëri me 21 golat e tij në kampionat, ndërsa një moment pozitiv po kalon edhe Otto John, i cili numëron 7 gola me Prishtinën dhe gjendet i dyti në listën e golashënuesve. Por pavarëisht kësaj, nigeriani është kritikuar për rastet e shumta të humbura përpara portës kundërshtare.
Këto kritika i ka komentuar trajneri i njohur, Afrim Tovërlani, i cili në emisionin “Dueli Sportiv” shprehet se paraqitjet e John janë të kënaqshme, duke ditur nivelin e futbollit në Kosovë. Madje sipas tij, nëse do të kishte aq shumë cilësi, atëherë do të shkëlqente me Skënderbeun dhe tashmë do të ishte duke luajtur në kampionatet europiane.
“Nëse do kishte ato cilësi Otto John do të ishte duke luajtur në Europë. Ka luajtur mirë tek Trepça ’89, por po të kishte qenë realizues aq i mirë nuk do të ishte duke luajtur tek ne, do kishte shkëlqyer te Skenderbeu dhe do dilte në Europë. Edhe me Dakun situata është gati e njejtë, por dallon paksa. Kjo pasi Ballkani luan lojë shumë sulmuese dhe ai ka dal më shumë herë në raste shënimi”, ka thënë Afrim Tovërlani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/