Astrit Selmani ka shkëlqyer në sezonin e sapopërfunduar në Suedi. Sulmuesi shqiptar ka shënuar plot 15 gola dhe ka dhuruar 6 asiste, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve të elitës së futbollit suedez. Padyshim që me këto shifra Selmani ka bërë të mundur që të mbajë skuadrën e tij Varbergs edhe për një tjetër sezon në “Allsvenskan“.
Lojtari 23-vjeçar ende nuk ka vendosur se cilën Kombëtare do të përfaqësojë, teksa ka mundësinë të zgjedhë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Suedisë. Në një intervistë në podcast-in “Lundh“, Selmani është shprehur se ndihet me fat që mund të përfaqësojë 3 ekipe kombëtare, pasi jo çdo kujt i jepet një mundësi e tillë. Megjithatë vetë sulmuesi ka nënvizuar se momentalisht po mendon vetëm për karrierën e tij në klub dhe jo për Kombëtaren.
“Jam me fat që kam mundësinë të përfaqësoj 3 ekipe kombëtare, jo të gjithë munden ta bëjnë këtë. Është një përgjigje e trishtë, por unë po mendoj vetëm për karrierën time si futbollist në klub. Nuk kam dëgjuar asgjë. Do vazhdoj të përqendrohem në futbollin tim. Kur të vijë koha do zgjedh”, ka thënë Astrit Selmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/