Tirana dhe Partizani do të luajnë në ditën e sotme për të nisur kështu javën e gjashtë të Superiores. Të gjithë e dinë rëndësinë e një derbi për tifozët, duke u përjetuar shumë ditë përpara nisjes së saj. Megjithëse këtë herë nuk do të kemi të pranishëm tifozët, kureshtja për të parë vazhdimësinë e takimit do të shuhet nga televizori.
Por si do të dalë kjo përballje? Do të jetë e para fitore e Nevilit në derbi dhe në kampionat me Tiranën, apo dush i ftohtë nga Daja? Nëse trajneri i Partizani do të merrte fitoren ndaj bardhebluve, atëherë me një gur vriten “dy zogj”.
Nga njëri krahë Partizani marshon në rrugën e tij për të udhëhequr vendin e parë, ndërsa nga ana tjetër Tirana do të binte me shumë gjasa në vendet që të dërgojnë në zonën e rrezikut për Kategorinë e Parë. Gjithmonë derbi ka ndikuar për ekipin humbës në shumë ndeshje radhazi pas historisë së 90 minutave, duke pasur ndikim të madh për ecurinë e rezultateve.
Pra bardheblutë rrezikojnë më tepër këtë herë dhe duke ditur sesa delikat është ky ambient, një rol të rëndësishëm do të luajë edhe përgatitja psikologjike e skuadrës për të përballuar derbin, pa marrë parasysh kostot. Por kjo përballje është edhe mundësia më e mirë për Nevil Deden që të tregojë se ishte zgjidhja më e mirë për të marrë drejtimin e Tiranës, për t’u kundërpërgjigjur në momentin më delikat dhe në presionin më të madh. Zakonisht kjo është një cilësi që i përket kampionëve dhe Dede duhet ta tregojë këtë si trajner. /Sport Ekspres/