Diego Armando Maradona ka ndërruar jetë dhe teksa në gjithë botën nuk e besojnë ende këtë tragjedi të futbollit, duke ikur së bashku me të edhe një pjesë e madhe e kujtimeve, në “familjen e madhe” ka nisur një tjetër luftë. Më saktësisht bëhet fjalë për trashëgiminë e Maradonës, kur dihen edhe lidhjet e shumta martësore të legjendës së futbollit. Pesë fëmijë ka të deklaruar: “Dalma, Giannina, Diego Jr, Dieguito Fernando dhe Jana”, por nuk kanë qenë të pakëta rastet kur femra të tjera kanë deklaruar se kanë pasur fëmijë me Maradonën dhe nuk janë pranuar zyrtarisht.
Sa i përket trashëgimisë së Maradonës bëhet fjalë për një shifër që prek 275 milionë dollarë dhe asgjë nuk do të shkojë për fëmijët. Me shëndetin e rënduar disa muaj më parë, legjenda e futbollit është shprehur: “Unë nuk po vdes, por në të gjitha rastet nuk do t’i lë asgjë fëmijëve. Gjithçka që kam fituar unë do të dhurohet dhe ata do t’ia japin dikujt tjetër kur unë të vdes”. Këto fjalë nuk mund të priteshin mirë dhe vajza e tij, Giannina, do të reagonte asokohe: “Ata janë duke e vrarë atë me injeksione”. Mediat argjentinase kanë njoftuar kështu se një luftë e madhe vetëm sapo ka nisur për trashëgiminë e Maradonës, ndërsa nuk kanë kaluar shumë orë nga vdekja e tij. /Sport Ekspres/