Amir Rrahmani nuk e ka prekur asnjëherë fushën e blertë këtë sezon, duke u bërë i vetmi lojtar që nuk ka luajtur asnjë sekondë tek Napoli. Edhe Milik edhe Llorente nuk kanë luajtur, por kjo është histori tjetër pasi te dy janë të përjashtuar nga projekti i klubit. Ky rekord negativ i Rrahmanit i ka acaruar mediat italiane, të cilat e kanë kryqëzuar 26 vjeçarin, se nuk i ka justifikuar paratë e shpenzuar për të.
Një nga gazetat kryesore italiane shkruan: “Ku është Rrahmani? 14 milionë euro, por nuk luan asnjëherë.” 26-vjeçari nga Prishtina grumbullohet nga Gatuzo çdo ndeshje, megjithatë ende mungon debutimi me fanellën e Napolit. Ai u ble në janar, por e përfundoi sezonin i huazuar te Hellas Verona. 14 milionë euro kushtoi transferimi i tij, që është goxha një investim nga një skuadër si Napoli, megjithatë mbrojtësi shqiptar nuk e ka justifikuar për asnjë moment këtë shifër. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/