Tregu më i vlerësuar i futbollit është në Europë, atje ku shihet edhe kryeqendra e këtij sporti që ka një ndjekje në masë të jashtëzakonshme. Megjithatë vlera monetare ka ndërhyrë deri në atë pikë sa të prishet edhe bukura e lojës, për ta kthyer gjithçka në biznes dhe për të hequr kënaqësinë e futbollit. Mjafton që të shohim një ndeshje të vetme në Amerikën Latine për të kuptuar se çfarë mund të ofrojë sporti nëse lojtarët janë “të çmendur” në fushën e lojës, për të mos kursyer asgjë nga energjitë e tyre.
Kjo ndodhi në eliminimin e Sao Paolo, atje ku luan edhe futbollisti i njohur Dani Alvesh. Padyshim që flitet për eliminimin më të çmendur në karrierën e Dani Alvesh, i cili tanimë është larguar me ekipin e tij nga “Copa Sudamericana”.
Që kjo nuk do të ishte një mbrëmje normale u pa që nga fakti se ish-mbrojtësi i Barcelonës shënoi golin e parë të Sao Paolo falë një kërcimi me kokë, duke dërguar topin në rrjetë. Ndeshja e parë mes ekipit të Lanus dhe Sao Paolo kishte përfunduar në shifrat 3-2, ndërsa po zhvillohej përballja e kthimit.
Ndërkohë Dani Alvesh ka shënuar një gol dhe dhuruar dy asist në fitoren “e hidhur” në shifrat 4-3, por që e eliminon nga kompeticioni. Kur shifrat u dërguan në 2-2, që nga minuta e 62 e takimit, loja po zhvillohej vetëm me një portë.
Sulme të panumërta ishin në drejtimin e Lanus që nuk mund të reagonte për asnjë minutë të vetme. Pas shumë tentatativa të Sao Paolo, do të ishte një autogol nga Thaller që i dërgoi shifrat në 3-2 në të 87. E kur pritej që ndeshja të dërgohej në shtesë, vendasit vazhdonin që të vraponin si të çmendur për të mbyllur gjithçka në 90 minuta dhe duke mos iu frikësuar lënies së hapësirave në prapavijë.
Një pasim i mrekullueshëm nga Dani Alvesh do të gjete Sara, i cili me kokë solli festën e parakohshme të kualifikimit për t’i dërguar shifrat në 4-2 në minutën e fundit. Deri në ato momente Lanus nuk kishte bërë asnjë aksion sulmues të vetëm, por ishte duke pritur “goditjet” e kundërshtarit. Menjëherë sapo ndërmorën inisiativën e parë pasi pësuan golin e katërt, do të gjenin rrugën e rrjetës pa u vonuar gjatë, për të siguruar kështu kualifikimin. /Sport Ekspres/