Një tjetër lojtar shqiptar i bashkohet kampionatit kinez të futbollit. Kina ka hapur dyert për shqiptarët vitet e fundit, teksa pas Albi Allës, Jahmir Hykës apo edhe Ergys Lugës si trajner, tashmë është Vasil Shkurtaj ai që ka zyrtarizuar kalimin e tij në Lindjen e Largët.
Sulmuesi vlonjat shkëlqeu me fanellën e Kukësit, me të cilët arriti të tundte plot 22 herë rrjetën. Një nga më të mirët e Superiores, që tashmë do të luajë për Jiangxi Liansheng në Ligën e Parë Kineze. Një akord i arritur prej shumë kohësh, por vonesa një mujore për pajisjen me vizë si dhe karantina 2 javore e lojtarit kanë bërë që prezantimi me pjesën tjetër të skuadrës të shtyhej. Ky kalim mban edhe meritën e menaxherit Franci Bode, që i ka siguruar Shkurtajt një kontratë në Kinë, ndërsa të dy e kanë zyrtarizuar transferimin përmes rrjeteve sociale./Halit Delibashi-Sport Ekspres/