Barcelona ka fituar me festival golash ndeshjen e sotme kundër Ferencvaroshit, e vlefshme për fazën e grupeve në Champions League. Katalanasit ishin një peshë e rëndë për skuadrën e Uzunit, që ka dalë nga “Kamp Nou” me një humbje 5-1. Protagonist në këtë përballje del sërish Ansu Fati.
Djaloshi 17-vjeçar ka treguar edhe njëherë potencialin e tij. Goli i dytë do të mbante autorësinë e tij. Fati shfaq një nuhajte të mirë në zonë, teksa kthen topin pas dhe lëviz bukur për të dalë i vetëm në zonë. Një shërbim perfekt nga De Jong dhe më pas topi ndalet në rrjetë.
Por nuk është mjaftuar me kaq, pasi një meritë të madhe mban edhe në golin e tretë të takimit. Talenti spanjoll ka topin në zotërim në zonë, ku i vënë nën presionin e dy mbrojtësve kundërshtar nuk e humbet aspak qetësinë dhe kthjelltësinë. Përkundrazi, kreativiteti dhe klasi del në pah. Sulmuesi i Barcelonës dhuron magji me topin dhe me finte jep një asist fantastik për Kutinjon, që nuk gabon të tundë rrjetën.
Ansu Fati dëshmon kështu se rruga që e pret përpara është vetëm ajo e suksesit dhe i jep një siguri Barçës në këto momente delikate që po kalon. Leo Mesi ka shpallur hapur se në fund të sezonit do të largohet nga “Kamp Nou”, por katalanasit nuk kanë përse të kërkojnë larg për të gjetur pasuesin e tij. Ansu Fati është Mesi i ri dhe këtë e ka treguar deri tani në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Triple threat….Messi > Fati > Coutinho
— Messi Worldwide (@Messi_Worldwide) October 20, 2020
https://twitter.com/WujaJurek/status/1318638934629507075