Vijon të ketë debat me gjendjen e futbollit në Shqipëri. Klubet nuk tërhiqen nga vendimi i tyre për t’i dhënë një tjetër fytyrë futbollit në vendin tonë, duke mos e ndalur bojkotin deri në momentin që do të ketë një përgjigje pozitive nga Qeveria. I ftuar në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”, ish-futbollisti i njohur, Sulejman Demollari, është shprehur se tashmë është momenti për nëj reform ligjore, që do ndihmojë të gjitha sportet.
“Në opinionin tim, jemi të vonuar. Zgjidhja e çështjes duhet të bëhet një reformë ligjore. Tani ka ardhur momenti që kemi arritur në këtë pikë. Nuk është përplasje e qeverisë me ekipet e Superiores. Nuk është vetëm për futbollin, por për të gjithë sportet, sa më shpejt të bëhet reforma aq më mirë do të jetë për të gjithë. Ka ardhur koha të bëhemi si Europa. Kemi shembullin shumë të mirë Kosovën. Si Kosova mund t’i zgjidhim gjërat më të thjeshta. Të ndihmojmë dhe futbollin dhe sportin e fëmijëve. Unë e thashë, jam për zgjidhjen, ka ardhur momenti të ketë marrëveshje qeveria me Ligën”, ka thënë Sulejman Demollari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/