VIDEO/ Gol me finte dhe një ndeshje e çmendur, Gjermani-Zvicër ishte e gjitha për spektaklin

Ndeshja e sotme mes Gjermanisë dhe Zvicrës pati gjithçka. Emocion, spektakël, çmenduri dhe aromë e vërtetë futbolli ishin të gjitha të përmbledhura në 90 minuta. Vetë shifrat 3-3 flasin pastër për përballjen e sotme, e cila ishte e gjitha e dedikuar spektaklit. Helvetët tundin rrjetën që pa nisur mirë ndeshja, teksa në minutën e 5 befasojnë gjermanët. Brenda pjesës së parë zvicerianët do të dyfishonin rezultatin, por vendasit kundërpërgjigjen shpejt me anë të Verner, i cili ngushton shifrat në 1-2.

Ndërkohë vrulli nuk ndalet as në fraksionin e dytë të lojës, teksa talenti Kai Havertz vendos baraspeshën në minutën e 55 të takimit. Por festa zgjat vetëm 60 sekonda, pasi aq koha që i është dashur Zvicrës për të tundur për të 3-tën herë rrjetën e Gjermanisë.

Megjithatë “panzerat” nuk e njohin aspak fjalën dorëzim dhe vulosin shifrat përfundimtare me një magji nga këmbët e Gnabrit. Kronometri shënonte minutën e 60, atëherë kur Verner vepron mirë me topin dhe jep një asist për sulmuesin e Bajernit, që me një finte e dërgon sferën pas shpinës së portierit kundërshtar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *