Një lajm i bujshëm vjen nga Spanja. Është “El Chiringuito TV” ai që njofton të gjithë për një kalim të mundshëm të Serxho Ramos në Serie A, aty ku do të mund të ribashkohet sërish me Kristiano Ronaldon, por këtë herë në radhët e Juventusit. Kontrata e kapitenit të Realit të Madridit përfundon në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa negociatat për rinovim momentalisht kanë ngecur.
Diçka e tillë nuk mund t’i shpëtojë syrit të Juventusit, që ka trokitur në derën e Serxho Ramosit me një ofertë për ta veshur bardhezi. “Zonja e vjetër” do të merrte një kampion me parametra 0 nëse rinovimi mes palëve nuk vjen, megjithëse mosha e kapitenit madrilen do të ishte 35 vjeç. Por pavarësisht kësaj, mbrojtësi spanjoll ka treguar se vitet për të janë thjesht një numër dhe paraqitjet pozitive nuk i kanë munguar, ashtu sikurse edhe golat./Halit Delibashi-Sport Ekspres/