Shqipëria do të ndryshojë “fytyrën” në përballjen ndaj Lituanisë, atje ku trajneri Reja pritet që të bëjë disa lëvizje në formacion. Albi Doka mendohet se do të marrë vendin e titullarit, duke iu dhënë kështu shansi i parë që të tregojë vlerat e tij me fanellën e Kombëtares A.
Nga krahu tjetër një lëvizje e detyruar është ajo në mesfushë, ku është dëmtuar Amir Abrashi. Reja pritet t’i besojë Endri Çekiçit që do të ketë kështu shansin e tij që e ka pritur prej shumë kohësh, për të treguar se çfarë është i aftë për të bërë me fanellën e kuqezinjëve.
Gjithashtu një dilemë ekziston edhe për pjesën e sulmit. Pas paraqitjes së fundit Armando Broja mbetet i paprekshëm, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “fantazmën Rei”, që nuk u shfaq për asnjë minutë ndaj Kazakistanit. Për këtë arsye mendohet se Xhakomo Vrioni do të jetë në krahun e Brojës. /Sport Ekspres/