Sa shumë raste që Shqipëria ka shpërdoruar ndaj Kazakistanit! Në një ndeshje që pritej mes interesit dhe dyshimeve për shkakun e përfshirjes së shumë emrave të rinjë nga minuta e parë, kuqezinjtë nuk kanë bindur me lojën e tyre në pjesën sulmuese.
Rei Manaj ka qenë tërësisht jashtë protagonizmit të takimit, duke bërë një nga ndeshjet më të dobëta me Kombëtaren. Armando Broja ka qenë në të paktën dy raste pranë golit të parë, por fillimisht me një parabël të hequr në metrat e fundit dhe më pas me një gabim në koordinim pas gafës së madhe në mbrojtje të Kazakistanit, do të shpërdoronte mundësitë e krijuara.
Në minutat e fundit Reja zgjodhi që të fus Taulant Seferin në vendin e Rei Manajt. Kishte vend edhe për një rast flagrant të Seferit që pas pasimit të marrë nga Armando Broja me elegancë, do të bënte më të lehtën duke goditur qendrore dhe portieri i Kazakistanit e mbajti portën e paprekur. Padyshim që ky ishte rezultati i padëshiruar duke e mbyllur ndeshjen 0-0 ndaj një kundërshtari që duhej të kishim fituar. Më poshtë do të ndiqni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Kallaku: “Jam shumë i lumtur që debutova me Kombëtaren. Sigurisht që do të doja që të kishim fituar, por nuk kemi mundur. Por ne kemi bërë një lojë të mirë, vetëm se nuk kemi arritur të shënojmë. Më vjen keq që nuk shkoi në gol ajo parabola e Brojës. Ndonjëherë duhet edhe fati me vete, nuk e kishim sot. Kërkova që të luaj më thjeshtë sot pasi isha në debutim, por do të vijmë duke u përmirësuar”.