Nëse ka një ekip që meriton një çmim për merkaton më të mirë, atëherë është pikërisht Prishtina. Bardheblutë nga Kosova kanë qenë të papërmbajtshëm këtë verë, ku kanë bërë disa nga goditjet më të mëdha në tregun e lojtarëve. Ata që dikur ishin më të mirët e Kategorisë Superiore dhe që ishin “ëndrra e kësaj vere” për elitën e Shqipërisë, kanë përfunduar duke hedhur firmën në kontratë për Prishtinën.
Gledi Mici dhe Sabien Lilaj ishin dy blerje të bujshme, ndërsa në momentet e fundit u afruan edhe dy emra që lanë gjurmë në Superiore, Enis Gavazaj dhe kapiteni i Tiranës, Gentian Muça. Gjithashtu janarin e shkuar edhe sulmuesi i Skënderbeut, Oto Xhon, iu bashkua bardhekaltërve, duke rilindur sërish me fanellën e kryeqytetasve të Kosovës.
Por nuk janë ndalur me kaq pasi më tepër cilësi ka ardhur nga jashtë. Deliova nga Hajduku i Splitit dhe një sulmuesi i Luanos si Kryeziu i janë bashkuar klubit të njohur shqiptar. Si për të treguar aftësitë e Kryeziut mjafton të përmendet fakti se lojtari ka arritur të tundë edhe rrjetën e gjigantëve të Interit në një takim miqësor.
Të mbledhur të gjithë bashkë, këta emra i japin notën 10 në merkato Prishtinës, që këtë sezon duket se rrugën drejt titullit kampion do ta kenë më të lehtë se më parë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/