“Ideali i tyre është nderi i flamurit”, De Biazi i tregon Shqipërinë rivalëve tanë: Ata shkojnë në finale, mos ma bëni këtë pyetje

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria ka mbërritur për t’u përballur në Kazakistan, ndërsa në këtë vend kërkojnë më tepër njohuri mbi formën e fundit të kuqezinjëve. Arritja e suksesit të madh me kualifikimin në Europianin e Francës ishte “qershia mbi tortë” dhe që tremb ende rivalët më modest, për faktin se kuqezinjtë e kanë përjetuar përballjen me nivelet më të larta. Për këtë arsye media e Kazakistanit, “Sports.kz”, ka intervistuar “timonierin” që na dërgoi në Francë, De Biazi. Aktualisht është trajneri i Azerbajxhanit, por sa herë që pyetet mbi Shqipërinë nuk mendohet dy herë për t’u ulur dhe për të rrëfyer gjithë historinë sesi u mbërrit në ëndrrën e madhe.

“Kur erdha te Shqipëria kisha lojtarë jo të njohur dhe ekipi ishte i moshuar. U deshën rreth dy vite që skuadra të merrte filozofinë që unë kërkoja. Kisha edhe liri veprimi që e përmenda që në fillim. Po kërkoja lojtarë jashtë kufijve të shtetit, udhëtova shumë për t’u takuar me ta personalisht dhe për të biseduar, sepse për mua një futbollist është, para së gjithash, një person. Unë doja të krijoja një ekip për të cilin ideali do të ishte nderi i flamurit, në të cilin të gjithë do të donin të vinin interesat e ekipit mbi të vetat.

Gjithmonë trajnerë italian te Shqipëria? Gjuha na ndihmon shumë, në Shqipëri e flasin shumë italishten dhe kjo ka rëndësi të madhe. Për më tepër ka shumë futbollistë në Itali që janë rritur në familje emigrante dhe tani janë italianë, por me shansin që u jepet luajnë për vendin e prindërve të tyre.

Kë do të veçoj prej futbollistëve? Ju po më bëni një pyetje që nuk dua t’i përgjigjem. Unë i dua shumë ata djem, se më ndoqën me besim. Edhe kur u thashë se do të bënim diçka unike nëse ata do të më ndiqnin, vazhduan po kështu përgjatë gjithë rrugëtimit. Sa i përket Rejës është njeri me shumë njohuri mbi futbollin dhe përvojë të madhe. Ka punuar në nivele të larta dhe dëshiron të rrisë Shqipërinë.

I mbaj lidhjet me këtë vend dhe do të vazhdohet që të kemi lidhjet e forta. Kam shumë miq atje, ruaj kontakte fantastike me presidentin e FSHF Duka, presidentin e Republikës Metën dhe kryeministrin Rama. Sa i përket grupit tuaj mendoj se Shqipëria del e para dhe do të arrijë deri në finale”, u shpreh De Biazi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *