Kosova humbi në gjysmëfinalen e Ligës D në Ligën e Kombeve përballë Maqedonisë së Veriut me shifrat 2-1, megjithëse rezultati mund të kishte shkuar ndryshe për ta. Gjyqtari kryesor i takimit, Dani Mekeli, nuk i kurseu kartonët e verdhë gjatë ndeshjes, ndërsa ajo që u vu re ishte pikërisht siguria e tij në vendimet që merrte.
VAR-i ishte një risi për këtë duel, por gjyqtari holandez nuk i dëgjoi asnjëherë përgjatë 90 minutave. I palëkundur në gjykimin e tij, Mekeli refuzon të dëgjojë edhe sugjerimin për penallti nga sistemi VAR. Bëhej fjalë për atë rast të dyshimtë në zonë në minutën e 60-të të takimit. Topi duket se prek dorën e Berishës brenda zonës së mbrojtur nga Muriç, megjithëse arbitri kryesor nuk akordon 11 metërsh.
Në kufje i komunikohet nga VAR-i për të riparë edhe njëherë nëpërmjet moviolës rastin në fjalë, të cilin e sugjeronin si një penallti të mundshme për Maqedoninë e Veriut. Por Mekeli nuk ia vë veshin këtyre fjalëve dhe nuk tërhiqet aspak nga bindja e tij. Sipas tij nuk kishte të bënte me 11 metërsh, pasi distanca ishte e afërt dhe topi preku fillimisht këmbën e lojtarit. Për këtë arsye gjithçka ishte e qartë për të, loja duhet të vazhdonte rregullisht./Halit Delibashi-Sport Ekspres/